Secondary Adv

Nga sot, në Kosovë ndalohen pagesat cash mbi 2 mijë euro

Nga 1 qershori, pagesat mbi 2 mijë euro duhet të kryhen vetëm përmes sistemit bankar.

Që nga dita e sotme, në Kosovë kanë hyrë në fuqi rregulla të reja që ndalojnë kryerjen e pagesave me para në dorë për vlera mbi 2 mijë euro. Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka njoftuar se të gjitha transaksionet që tejkalojnë këtë shumë duhet të realizohen vetëm përmes sistemit bankar ose formave të tjera elektronike të pagesës.

 

Masa prek si bizneset ashtu edhe individët, duke i dhënë fund përdorimit të parasë së gatshme për pagesa të mëdha. Autoritetet kanë paralajmëruar se mosrespektimi i këtij detyrimi ligjor do të shoqërohet me masa ndëshkuese dhe gjoba.

 

ATK: Mos paguani cash mbi limitin e lejuar

Në njoftimin zyrtar, Administrata Tatimore e Kosovës thekson se nga 1 qershori 2026 çdo pagesë mbi 2 mijë euro duhet të kryhet përmes kanaleve të gjurmueshme financiare.

 

“Nga 1 qershori 2026, pagesat mbi 2,000 euro ndërmjet bizneseve dhe individëve nuk lejohen të kryhen me para gatshme dhe duhet të realizohen vetëm përmes sistemit bankar ose formave të tjera elektronike të pagesës. Respektoni kufizimin e përcaktuar me ligj dhe shmangni gjobat. Mos paguani cash mbi limitin e lejuar”, thuhet në njoftimin e ATK-së.

 

Luftë kundër ekonomisë informale

Banka Qendrore e Kosovës ka vlerësuar se ekonomia joformale mbetet një nga faktorët kryesorë që nxit përdorimin e lartë të parasë së gatshme. Sipas institucionit, bizneset që operojnë jashtë formalitetit preferojnë transaksione të pagjurmueshme për të shmangur detyrimet fiskale.

 

BQK vëren se gjatë vitit të kaluar është regjistruar një rritje e përdorimit të pagesave digjitale, por thekson se sfida mbeten niveli i besimit të qytetarëve dhe edukimi financiar. Për këtë arsye, institucioni synon të forcojë sigurinë e sistemeve të pagesave dhe të zgjerojë përdorimin e kanaleve elektronike në të gjithë vendin.

 

Informaliteti vlerësohet deri në 35 për qind të PBB-së

Sipas Institutit Riinvest, i cili monitoron vazhdimisht nivelin e informalitetit në ekonomi, pesha e ekonomisë informale në Kosovë llogaritet nga 30 deri në 35 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Në raportin “Zhvillimet ekonomike: Kërcënimet nga kriza institucionale”, të publikuar në nëntor të vitit të kaluar, ky fenomen identifikohet si një nga sfidat kryesore për zhvillimin ekonomik të vendit.

 

Rritet përdorimi i kartelave dhe terminaleve POS

Kosova ka aktualisht dhjetë banka komerciale në funksion. Sipas të dhënave më të fundit, numri i kartelave debit ka arritur në rreth 1.4 milionë, ndërsa kartelat e kreditit janë afërsisht 195 mijë.

 

Në të gjithë vendin operojnë 635 bankomatë dhe 20.913 terminale POS, të cilat u mundësojnë qytetarëve të kryejnë pagesa me kartelë në dyqane dhe pika të tjera shërbimi. Autoritetet presin që kufizimi i pagesave cash të përshpejtojë më tej kalimin drejt pagesave elektronike dhe formalizimit të ekonomisë.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat